Institucioni teatror më i rëndësishmi i Shqipërisë, një nga vlerat sublime të kulturës shqiptare, gjithashtu një shkollë e artit teatror kombëtar, në terma poetikë një “tempull” dhe vatër e rëndësishme artistike në mbarë hapësirën shqiptare. Ndodhet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” (kryqëzimi me rrugën “Shyqyri Ishmi”, përballë Ministrisë së Brendshme). Deri në shtator ka pasur gjithsej 52 vetë, nga të cilët 30 aktorë, 1 drejtor, 1 nëndrejtor, 1 skenograf, 1 inspektor skene, prapavija ndihmëse (elektricist, fonist, marangoz, punëtor skene), shërbimet, administrata e të tjerë. Personeli më i kompletuar i arritur para vitit 1991 rezultonte gjithsej 90 vetë, nga këta 60 aktorë, 1 drejtor, 4 regjisorë, 1 dramaturg, 1 skenograf etj.

Zanafillën e vet e ka më 24 maj 1944 me shfaqjen përuruese Pleqtë dhe Lufta, në Kongresin e Përmetit, duke u quajtur “Teatri Profesionist”, por u legalizua si i tillë më 25 maj 1945 me emrin “Teatri i Shtetit”.

Godina e TK është ndërtuar në vitin 1939 nga Italia si “Kinema revistë”, në kompleksin kulturor-argëtues “Circolo dopolavoro”, ku jepeshin shfaqje për ushtrinë dhe kolonët italianë nga trupat e shumta shëtitëse. Më vonë ajo u quajt Kinema-Teatër “Kosova”. Pikërisht në këtë godinë qeveria mori vendimin që të vendosej e formohej TK. Në prill të vitit 1945, me rastin e Kongresit të II të Rinisë që u mbajt në Tiranë, u dhanë disa shfaqje teatrore të përgatitura në qytetet e ndryshme të vendit. Nga një grup i posaçëm “kompetent” prej këtyre shfaqjeve u zgjodhën aktorët më të talentuar, për të krijuar kështu të parin teatër profesionist në Shqipëri. Ndër ta ishin Mihal Popi, Fadil Shiroka, Mihal Stefa, Liza Vorfi, Behije Çela, Gjon Karma, Hasan Reçi, Ndoc Meshkalla, Ndrekë Shkjezi, Ndoc Deda etj.

Inagurimi dhe vënia e emrit “Teatri Profesionist i Shtetit” është bërë pikërisht më 25 maj 1945 në godinën ekzistuese të TK. Nën regjinë e Sokrat Mios, me aktorët probistë të Shkollës Dramatike më 30 maj 1945 u shfaq komedia “Topazi”, e shkrimtarit francez Marcel Pagnol, përkthyer nga Nonda Bulka, dhe kjo u quajt si shfaqja themeluese. U dhanë 4 shfaqje me 1300 spektatorë gjithsejt.

Lindja e Teatrit Kombëtar përbën, padyshim, një ngjarje të shënuar kombëtare; udha e tij – sintezë përvojash humane, sociale, politike e qytetare, vend diturie e poezie, laborator i përpunimit të vetëdijes kombëtare, portë e hapur për eksperiencat dhe kulturat që kanë ardhur dhe vijnë nga bota, krenari dhe gëzim për çdo shqiptar.

Për rezervime kontaktoni në numrin e telefonit: +355 42223022

Orari i Biletarisë

Nga e Marta në të Dielë paradite nga ora 09:00 deri në 13:00 dhe pasdite nga ora 17:00 deri në 19:00.

Ofertë speciale

Çmimi i Biletave
Të Mërkurën dhe të Enjten – 150 Lekë
Të Premten, të Shtunën dhe të Dielën – 300 Lekë