Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, pasi gjatë kësaj lufte u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeale. U hap më 01.11.1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi  i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavioni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik. Muzeu Arkeologjik prezanton kërkimet e zbulimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në sallat e muzeut janë ekspozuar foto të lidhura me materialin e ekspozuar sipas çdo periudhe, si dhe dy harta: njëra paraqet sitet arkeologjike të gërmuara nga arkeologët në vite nga periudhat më të hershme (që nga stacionet paleolitike) deri në periudhën para pushtimit turk, ku është dhe fundi i koleksionit të muzeut dhe harta tjetër paraqet shtrirjen e fiseve ilire në antikitet. Pranë çdo objekti brenda dhe jashtë vitrinave janë vendosur etiketa që tregojnë vendgjetjen e tyre.

Shërbime që ofron muzeu:

  • guida me grupe të organizuara mbi pesë veta
  • aktivitete didaktike me nxënës dhe studentë të të gjitha viteve të sistemit arsimor

Ofertë speciale

Për grupet e turistëve të cilët bëjnë prenotim paraprak, muzeu hapet dhe jashtë orarit të zakonshëm si dhe ditëve të shtuna e të diela. Bileta kushton 100 lekë.