Galeria FAB e ndërtuar në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve është një ndër hapësirat më atraktive në Tiranë për ekspozim. Galeria FAB është e pozicionuar në anën e pasme të Universitetit të Arteve, duke i dhënë mundësi të gjithë kalimtarëve si dhe artëdashësve ta kenë tejet të lehtë aksesin në këtë ambient.

Themelimi i kësaj galerie përkon me zhvillimin e cilësive artistike si dhe politikat pedagogjike të Akademisë së Arteve. Pas viteve 90-të, galeria u bë një qendër pelegrinazhi për influencat e para artistike ekperimentuese duke qënë në pararojë të promovimit të vlerave kontemporane artististike në Shqipëri. Një mori ekspozitash të organizuara nga studentët si dhe pedagogët e Akademisë së Arteve i dhanë një freski ambientit artistik në Shqipëri duke mos lënë në asnjë moment vakume në jetën e arteve pamore në vendin tonë.

Që prej asaj kohe një sërë ekspozitash janë organizuar në ambientet e galerisë FAB. Gjatë fundvitit akademik në Galerinë FAB ekspozohen veprat e studentëve të atelieve të Fakultetit të Arteve të Bukura. Në këto ekspozita të atelieve, studenteve i krijohet mundesia që të fillojnë të ballafaqohen me publikun si dhe të ndihen pjesë integrale e jetës artistike në vend.
Fakulteti Arteve te Bukura ka qënë dhe është i hapur për të gjithë projektet artistike, të cilat me vlerat që ofrojnë kontribuojnë në krijimin e një atmosfere që përkon me staturën dhe vetë emrin e Universitetit të Arteve.