Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është biblioteka më e madhe dhe më e pasur, jo vetëm e kryeqytetit por dhe e gjithë Shqipërisë.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (BKSh), si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luf­tës së parë botërore. Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6 000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur ins­titucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së dytë botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15 000 vëllimesh. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kul­tu­rës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100 000 vëllime. Nga institucion në var­tësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.

BKSh është aktualisht insitucioni kryesor bibliotekar i vendit dhe qendër e rëndësishme studimore-kërkimore shkencore. Ajo ka për detyrë të grumbullojë dhe të ruajë të gjithë trashëgiminë kulturore të shkruar të popullit shqiptar. Ka karakter shken­cor dhe njëkohësisht masiv. Ajo është:

  • qendër e depozitimit dhe e ruajtjes së botimeve shqip;
  • qendra kryesore bibliografike e vendit;
  • qendër e studimeve në fushën e bibliotekonomisë dhe bibliografisë;
  • qendër e përgatitjes dhe kualifikimit të vijueshëm profesional të personelit bib­­liotekar të vendit;
  • qendër e ruajtjes së botimeve me karakter albano-balkanologjik;
  • agjenci e ISBN-së për botimet shqip.

BKSh numëron në fondet e veta rreth 1 124 893 materiale bibliotekare,- deri më 30 Qershor 2012,- (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera).